Armenia dhe Azerbajxhani kanë arritur marrëveshje për armëpushim duke filluar prej të shtunës me qëllim që të shkëmbehen të burgosurit dhe trupat e të vrarëve gjatë konfliktit që filloi më 27 shtator.
Lajmin e bëri të ditur kryediplomati rus, Sergei Lavrov.
Ndërsa, bisedimet mes dy palëve u zhvilluan në Moskë dhe ishte kontakti i parë diplomatik mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që nga fillimi i konfliktit, ku mbetën të vrarë qindra njerëz.
Armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 12 sipas kohës lokale, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Sinjali.
Ministri i Jashtëm rus, i cili ndërmjetësoi bisedimet, tha se armëpushimi u arrit pas dhjetë orë negociatash me homologët e tij nga Azerbajxhani dhe Armenia. Lavrov njoftoi se të dyja vendet u pajtuan që t’i fillojnë bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për konfliktin që në të vërtetë ka nisur nga vitet e 90-ta.
Ministri i Jashtëm i Armenisë, Zohrab Mnatsakanyan, dhe homologu i tij nga Azerbajxhani, Jeyhun Bayramov, nuk folën para mediave. /Gazeta Sinjali/