image Arrestohen 4 persona, dyshohet se vunë në qarkullim 10 mijë dollarë amerikanë të falsifikuar në Pejë e Prizren

Siguri

Arrestohen 4 persona, dyshohet se vunë në qarkullim 10 mijë dollarë amerikanë të falsifikuar në Pejë e Prizren

news image

Njësia e Krimeve Ekonomike, e mbështetur nga NJSO-ja dhe Krim Teknika, sot, ka kryer kontrollin e shtëpisë dhe të objekteve përcjellëse të disa personave të dyshuar për veprat penale “Falsifikim i parasë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton Gazeta Sinjali.

H.K. (1988), S.K. (1970), V. K. (2001) dhe V.K. (2000), dyshohen se në janar të këtij viti, së bashku, kanë vënë në qarkullim 10 mijë dollarë amerikanë në qytetin e Pejës dhe atë të Prizrenit, të cilat më vonë u zbulua se ishin të falsifikuara.

Gjatë kontrollit, policia njofton se ka gjetur një armë ‘AK-47’, një karikator, 14 fishekë të cal. 7.62, në pronësi të të dyshuarit  S.K., ndaj të cilit ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” e sanksionuar nga neni 366 i KPRK-së.

Nga të dyshuarit janë sekuestruar si provë materiale: dy ‘Iphone’ 6S dhe një ‘Iphone’ XS Max.

Të arrestuarve, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë./Gazeta Sinjali/