Në shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve është arrestuar nga Policia Shqiptare në Pikë Kalimin Kufitar Morinë, derisa po hynte në Shqipëri.
Policia Shqiptare njofton se është vënë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Serbisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Në Pikën e Kalimit Kufitar, Morinë, në hyrje të RSH-së, shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Policia njofton se bëhet fjalë për Dejan Stanojeviç, 49 vjeç, banues në Ferizaj.
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Beogradi, Serbi, pasi Gjykata e Lartë e Beogradit, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Serbisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej Policia tregon se në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Serbisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet serbe, vijon procedurat për esktradimin e këtij shtetasi.