Është arrestuar burri i modeles së njohur shqiptare, Angela Martini, rumuni, Dragos Savulescu.
Një gabim i rëndë i bashkëshortës së tij zbuloi milionerin e kërkuar ndërkombëtarisht, shkruan mediumi rumun Stirile Pro TV.
I arratisur, i kërkuari ndërkombëtar, Dragoș Savulescu, u arrestua të dielën në mbrëmje në Mykonos, Greqi. I dënuar që nga shkurti i vitit 2019, me pesë vjet e gjysmë burg, biznesmeni ishte me pushime me gruan e tij.
“Ai ishte atje me pushime, kur partnerja e tij e jetës, një modele zvicerane me origjinë shqiptare, ndjeu nevojën për të publikuar fotografi të ndryshme në rrjetet sociale”, shkruan tutje mediumi rumun.
Autoritetet në Bukuresht që po kërkonin Savulescun panë fotografitë e Angelës në Instagram dhe zbuluan vendndodhjen.
Modelja me origjinë nga Shkodra, Angela Martini, duke postuar në rrjetet sociale dha të dhëna për punonjësit e policisë, duke zbuluar vendndodhjen e tyre.
“Si është jeta? E përsosur! ”, kishte shkruar Angela në mbishkrimin e një prej fotografive në Instagram, e cila zbuloi lokacionin ku ajo dhe bashkëshorti i saj ndodheshin.
Dragoș Savulescu është i dënuar në Rumani për krime ekonomike./GazetaSinjali/