image Arrestohet ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Faik Fazliu

Siguri

Arrestohet ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Faik Fazliu

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë rreth orës 22:40, ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faik Fazliun, i cili dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, i cili tha se arrestimi i Fazliu u bë në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri”, në Prizren.

“I dyshuari F. F lindur ne vitin 1977, ka kanosur verbalisht personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Zyrtarët policorë po asistonin në kontrollimin e një lokali (kafeteri) së bashku me inspektorët e AUV-it, lidhur me mosrespektimin e masave anti Covid19. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Prizren”, tha ai.

Zëdhënësi i policisë bëri të ditur se Fazliu është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kundër tij, prokurori ka iniciuar rastin “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

Sinjali merr vesh se policia u ka shqiptuar gjoba secilit mysafir që ishte në kafeteri dhe secilit shofer për parkim të veturës./Gazeta Sinjali/