Policia e Gjilanit ka arrestuar Ridvan Sylën, i dyshuar për një rast të zjarrvënies që kishte ndodhur në fillim të muajit gusht në Giilan. 31-vjeçari nga Vitia ishte shpallur në kërkim.
Gazeta Sinjali ka raportuar ditë më parë se personi në fjalë ishte falur nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, në vitin 2018 për vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtje në kontroll dhe posedim i armëve.
Drejtoria Rajonale Gjilan, Njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan, njofton se kanë arrestuar të dyshuarin R.S. (1993) për të cilin janë gjetur prova të mjaftueshme se ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprës penale zjarrvënje’, rast i ndodhur me 09 gusht 2022 në një shitore të pajisjeve elektrike në Gjilan.
Policia njofton se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.