Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin A.L për sulm ndaj Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Pejës, Leotrim Murtezaj.
Ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.
“Policia e Kosovës në vendkalimin kufitar në Vërmicë ka arrestuar njërin nga të dyshuarit për veprat ’lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘asgjësim apo dëmtim i pronës’, shtetasin shqiptar Kosovar A.Q. lindur në vitin 1978, i cili ishte i shpallur në kërkim policor për veprat e cituara më lartë”, njofton Policia.
Tutje në njoftimin e Policisë thuhet se janë në kërkim të të dyshuarit tjetër të përfshirë në sulm.
“Hetuesit policor janë duke punuar lidhur me rastin, për të sqaruar të gjitha rrethanat e sulmit ndaj viktimave zyrtar të komunës së Pejës, dhe kapjen e të dyshuarit tjetër, të cilët që nga momenti i kryerjes së veprës ishin ikur nga vendi i incidentit dhe gjendeshin në arrati”, thuhet në njoftim.
Lajmin për sulmin fizik ndaj Drejtorit të Inspektoratit e kishte konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Rasti ka ndodhur mbrëmë në orët e vona, bëhet fjalë për një përleshje fizike. Lëndime të lehta trupore kanë pësuar disa persona, në mesin e tyre edhe Drejtori i Inspektoratit dhe disa inspektor komunal te cilët dyshohet se janë sulmuar nga disa persona. Të dyshuarit janë identifikuar por ende nuk janë arrestuar sepse ndodhen në arrati”, ka thënë Nikçi për Gazetën Sinjali./Gazeta Sinjali/