Policia e Kosovës ka arrestuar 19 vjeçarin, E.K., i dyshuar për një rast grabitje me armë zjarri në një pompë derivatesh në rrugën Ferizaj – Kaçanik.
Sipas njoftimit të policisë, grabitja kishte ndodhur në bashkëpunim më 18 janar të vitit të kaluar.
“I dyshuari, E.K. (m/sh/k 19 vjeç) më datën 18.01.2019, rreth orës 02:20 minuta,në pompën e benzinës, e cila gjendet në rrugën Ferizaj-Kaçanik, konkretisht në fshatin Gërlicë,në bashkëpunim me një person tjetër i cili është i arrestuar më herët dhe gjendet në paraburgim, të maskuar dhe të armatosur me armë ,kanë hy në lokalet e punës dhe nga punëtori nën kërcënimin e armës kanë grabitur 145 euro dhe janë larguar në drejtim të panjohur” thuhet në komunikatë.
19 vjeçari, në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar veprën për të cilët dyshohet.
Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë./Gazeta Sinjali/