Një arrestim i ashpër ka ndodhur sonte në Pejë për shkak të mosbartjes së maskës, shkruan Gazeta Sinjali.
Një sinjalizues ka dërguar një video, në të cilën shihet arrestimi i një personi për shkak të mosmbajtjes së maskës. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur sonte rreth orës 20:40. Sinjalizuesi po ashtu bëri të ditur se është arrestuar edhe personi që ka incizuar arrestimin.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për rajonin e Pejës, të cilët thanë se janë arrestuar 6 persona për shkak të mosbartjes së maskës.
“Në qendër të qytetit, Policia e Kosovës duke e vëzhguar situatën i ka kërkuar zbatimin e masave, pra mbajtjen e maskave, kanë kundërshtuar dhe janë arrestuar 6 qytetarë. Tash janë duke u intervistuar në stacionin policor. Ata i kanë penguar zyrtarët policorë dhe policia janë detyruar t’i shoqërojnë për në stacionin policor”, thanë nga Policia e Pejës.
I pyetur se a është arrestuar edhe personi i cili e ka incizuar ngjarjen, ai tha se nuk ka informacion për këtë.
Kujtojmë se nga një arrestim me forcë të tepruar, muaj më parë në Amerikë, ka vdekur një person./Gazeta Sinjali/