COVID-19

Të infektuar

1064

Të shëruar

829

Të vdekur

30

Prapaskenat/ Arilena Ara dhe Elvana Gjata u privilegjuan me dhoma private, këngëtarët e tjerë turmë në korridor

news image

Zbardhen detaje nga denoncimi i Genës: Më masakruan performancën, morëm pjesë 20 artistë, 18 prej nesh nuk na u ofrua asnjë lloj komoditeti.

I zhgënjyer nga Festivali i Këngës në RTSH duket se ka mbetur edhe këngëtari i njohur Gena, i cili preku finale më këngën “Shqiponja e lirë”, por nuk u vlerësua me asnjë çmim. Me një postim në “Instagram”, ai shkruan se pavarësisht se iu premtua barazi dhe drejtësi, nuk ndodhi ashtu.

Sipas këngëtarit, veç problemeve teknike në festival, shumë këngëtarëve nuk iu ofrua asnjë lloj komoditeti. Gena vazhdon më tej, duke hedhur akuza se një ndërhyrje në sekondat e fundit e teknikës, mund të jetë bërë e qëllimshme dhe se këngëtari gjatë performimit të këngës në natën e dytë ka pasur shkëputje të audios.

“Na u kërkua dhe na u premtua që do të merrnim pjesë në një festival vlerash, që kryefjala do të ishte kënga. Një festival që do të kishte barazi dhe drejtësi… Po nuk ndodhi ashtu…. Probleme të jashtëzakonshme teknike… Probleme që nisën që në prova, por prapëseprapë vendosa të vazhdoj, edhe pse nuk kisha përkushtimin e duhur si artist.

Në këtë festival morëm pjesë 20 artistë, por 18 prej nesh nuk na u ofrua asnjë lloj komoditeti. Dua të ndaj me ju një shqetësim… Pas natës së dytë ku publiku ka kërcyer dhe ka kënduar këngën time, një kthesë e jashtëzakonshme ndodh në natën finale.

Nuk dua të besoj që është bërë me qëllim. Ndërkohë që isha gati për të performuar, 10 sekonda përpara se të dilja në skenë, teknika ndërhyn për të dytën herë në kufjet e mia duke më lënë të dyshoj që diçka nuk shkonte mirë dhe rezultati ishte që gjatë gjithë kohës kam pasur shkëputje të audios në kufje.

Vetëm për respektin tuaj e vazhdova këngën deri në fund duke mos pasur gati-gati fare dëgjim. Më falni që nuk isha Gena që ju njihni në këto 25 vjet! U mundova të jap më të mirën nga vetja, por jo gjithçka është në dorën e artistit…

Megjithatë, jeta vazhdon…. Në gjithë këtë sqarim publik ndalojmë te fraza e tij se “në këtë festival morëm pjesë 20 artistë, por 18 prej nesh nuk na u ofrua asnjë lloj komoditeti!”- tha Gena.

Për çfarë e ka pasur fjalën Gena? Si artistëve të tjerë dëshmitarë, që nuk e shohin të arsyeshme të dalin me emër, mësohet se gjatë kësaj gare komoditeti në paskuinta iu ofrua vetëm dy pretendenteve për të fituar këtë garë, Arilena Arës dhe Elvana Gjatës.

Sipas tyre, të dyja artisteve u ishte siguruar dhomë personale, ku qëndronin të mbyllura me stafet përkatëse, të kryesuara nga menaxheri i Elvanës, Andy Gram dhe menaxheri i Arilenës, Popi Kola.

Të dyja me çelësat e dhomave personale, mbylleshin në dhomë duke siguruar kështu statusin e “divës”, ndryshe nga 18 konkurrentët e tjerë që rrinin së bashku në pjesën e korridorit të Pallatit të Kongreseve.

Herë pas here, Arilena e kyçte dhomën me çelës dhe bënte prova të zërit pa pushim, ndryshe nga Elvana, e cila bisedonte apo kalonte momente të bukura duke shkëmbyer batuta e duke qeshur me stafin.

Edhe pse “lufta e ftohtë” nisi që në prova mes dy këngëtareve të njohura, Arilena Ara fitoi Festivalin me ”Shaj”, ndërsa Elvana Gjata u rendit e dyta me “Me tana”.

Kështu përfundoi gara më e nxehtë e të gjithë kohërave të Festivalit të RTSH-së, të dielën në mbrëmje, mes dy rivaleve aspak mikesha me njëra-tjetrën, të përgatitura për skenën e ëndërruar të “Eurovision”-it 2020.

Shumë polemika pati pas Festivalit të 58-të të RTSH-së në Pallatin e Kongreseve, që u tha se u pasua me një përçarje mes Vera Grabockës në anën e Arilena Arës dhe Alketa Vejsiut në krahun e Elvana Gjatës.

Elvana Gjata konkurroi në këtë garë me këngën “Me tana”, një projekt ritmik që e prezanton si kantautore me vargje e muzikë të krijuara nga ajo vetë, ndërsa Arilena Ara me këngën “Shaj”, me muzikë të Darko Dimitrov e Lazar Cvetkovski dhe tekst të Lindon Berishës, i njëjti autor i hitit të saj “Nëntori”.

Pas zhurmës dhe kontestimit të jurisë, pasi dy anëtaret nga Shqipëria, Rita Petro dhe Mikaela Minga, votuan me pak pikë Elvanën, ajo nuk e fitoi këtë garë.

Direkt pas festivalit, e zhgënjyer ajo u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për koncertet e radhës, ndërkohë që flitet se po punon për një bashkëpunim me Ledri Vulën.

Ndërsa Arilena ka vendosur të shijojë fitoren, gati për përgatitjet për “Eurovizion 2020”.


Shpërndaje artikullin