Sot në ambientet e RTK-së është mbajtur mbledhje komemorative për gazetaren, Ardita Sylejmani-Bllaca, e cila ndërroi jetë gjatë procesit të lindjes në Budapest. Ardita ishte shembull i gazetarisë së mirëfilltë dhe për një dekadë dha kontributin e saj të çmuar në këtë profesion.
Në fjalën e rastit, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i shprehu edhe një herë ngushëllime familjeve Sylejmani dhe Bllaca, si dhe të gjithë kolegëve e miqve të Arditës duke thënë se ajo ishte dhe do të mbetet shembull për të mos u harruar kurrë.
“Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës, andaj humbja e saj është humbje e madhe për ne dhe për gjithë gazetarinë kosovare. Përkushtimi në punë për secilën detyrë që iu ka besuar si dhe dashuria për profesionin bëjnë që Ardita të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve. ”, ka theksuar Kastrati.
Ndërkohë në emër të familjes një fjalë rasti e mbajti axha i Arditës, Fehmi Sylejmani.
“Ardita iku nga kjo botë në një betejë të vështirë për ta shpëtuar Gretën gjatë një lindje të vështirë e të komplikuar. Në këtë betejë të pamundur ku nuk mund të fitonin të dyjat, Ardita zgjodhi jetën e Gretës, për të përmbushur misionin e saj si një nënë, e cila sakrifikoi veten për beben e saj. Me siguri tani Ardita është e lumtur që Nartit dhe Lizës ua bashkoi edhe engjëllin e tretë, Gretën dhe ata i la në duart e bashkëshortit dhe gjithë familjes së saj”, ka thënë axha i Arditës, i cili në emër të familjes falënderoj të gjithë që po e ndajnë këtë dhimbje të madhe me ta dhe po u japin kruajë për ta përballuar sa më lehtë këtë dhimbje.
Ndërkohë në emër të kolegëve dhe miqve foli Leonora Bërbatovci e cila theksoi se është e vështirë të përmbahen lotët sot kur Ardita nuk është në mesin tonë.
“Por vështirë ishte të përmbahen lotët edhe kur ajo ishte me ne, por në fakt ata ishin lot buzëqeshje, sepse e tillë ishte Ardita. Nuk jetojmë gjithmonë, kështu përgjigjej Ardita sa herë që dikush prej nesh vinte në pikëpyetje ndonjë dalje të zakonshme apo organizim ndeje. Ajo më së miri e paska ditur se vërtet ne nuk jetojmë përgjithmonë. Por për aq pak sa jetojë na tregojë se si duhet jetuar çdo sekondë që të ofrohet” , tha Bwrbatovci.
Në emër të komunitetit të gazetarëve foli edhe kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, e cila theksoi se Ardita na ka lënë vetëm kujtime të mira.
“Ardita ka qenë e përkushtuar dhe e denjë për profesionin si dhe e nderuar nga të gjithë. Ajo ka qenë e pa kompromis për të ardhmen e vendit dhe e pa kompromis për një të ardhme më të mirë për fëmijët, të cilët aq shumë i deshi”, ka thënë Begolli-Pustina.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë. /Gazeta Sinjali/