Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, thotë se vendimi për vendosjen në karantinë të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit është marrë nga Ministria e Shëndetësisë “në koordinim me autoritetet lokale”.
“Sipas ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitësë është vetëm Ministria e Shëndetësisë e cila mund të marrë vendime në raport me situata të tilla. Natyrisht Ministria e Shëndetësisë ka qenë në koordinim me atoritetet lokale në komunat përkatëse dhe në koordinim me to ky vendim është marrë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, prap po e përsëris në koordinim me autoritetet lokale…Kjo është e vërtata dhe unë mbaj përgjegjësi publike”, tha Vitia në një konferencë për media, transmeton Gazeta Sinjali.
Por, Gazeta Sinjali mbrëmë ka publikuar listat e Entit për Shëndetësi Publike të Serbisë dhe Stacionit Policor të Leposaviqit, të cilat përmbajnë emrat e personave që janë urdhëruar të vetizolohen.
Këto dokumente i referohen shtetit të Kosovës si “Kosovo i Metohija”.
Në këto lista janë emrat e 210 qytetarëve nga Komuna e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leopsaviqit, Graçanicës dhe Parteshit, të cilët do të duhet ta zbatojnë këtë vendim. /Gazeta Sinjali/