Sot, Kosova shënoi rekord të ri të rasteve me COVID-19. Pas këtij rekordi të infektimeve, rrjeti i Organizatave Joqeveritare – AVONET dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kërkuan dorëheqjen e ministrit Arben Vitia.
Lidhur me këtë kërkesë, në konferencën e sotme, Vitia u pyet dy herë nga gazetarët për mundësinë e dorëheqjes së tij nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.
Por, dy herë radhazi ai iu është shmangur këtyre pyetjeve, duke thënë se janë duke punuar për të menaxhuar valën e re të variantit Delta.
“Sonte jemi në një situatë ku e gjithë MSH pa përjashtim, jemi duke punuar vazhdimisht. Sot kemi pasur takime të shumta edhe me grupe të interesit, me gastronomët, me kryetarët e komunave, ku të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve, jemi të gjithë të bashkuar që të bëjmë më të mirën për qytetarët tonë, që kjo valë e re të përfundojë sa më mirë e sa më qetë. Natyrisht kjo mund të bëhet vetëm me vaksinim masiv”, tha Vitia. /Gazeta Sinjali/