image Apeli ua ul dënimin për tetë muaj ish-deputetëve Haxhi Shala e Ismajl Kurteshi, në rastin e gazit lotsjellës

Drejtësi

Apeli ua ul dënimin për tetë muaj ish-deputetëve Haxhi Shala e Ismajl Kurteshi, në rastin e gazit lotsjellës

news image

Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ia ulur dënimin me kusht për 8 muaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të cilët akuzoheshin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në nëntor të 2015-ës.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se Gjykata e Apelit, ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket dënimit me burg.

Sipas vendimit të Apelit, Shalës e Kurteshit i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve (secilin veç e veç), i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.

Në vendim thuhet se, gjykata e shkallës së parë, me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit nuk i ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese konform nenit 69-70 të KPRK-së.

“Andaj, duke pasur parasysh rrethanat e konstatuara dhe të vlerësuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, del se kjo gjykatë ka vend për shqiptimin e një dënimi më të butë, si në dispozitivin e këtij aktgjykimi, me bindje se tani dënimi është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

/GazetaSinjali/