image Refuzohen apelet e Thaçit dhe Veselit lidhur me vendimin për ndryshimin e aktakuzës

Drejtësi

Refuzohen apelet e Thaçit dhe Veselit lidhur me vendimin për ndryshimin e aktakuzës

news image

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara, ka refuzuar apelet e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit të dorëzuara më 21 shkurt, kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, të datës 23 dhjetor 2021, me të cilën lejohej pjesërisht Prokuroria që ta ndryshojë aktakuzën.

“Më 22 mars 2022, Paneli i Gjykatës së Apelit i refuzoi apelet e Thaçit dhe Veselit, të dorëzuara më 21 shkurt 2022, kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake, të datës 23 dhjetor 2021, me të cilin e lejoi ZPS-në që të ndryshojë pjesërisht aktakuzën në këtë çështje”, është njoftuar nga Dhomat e Specializuara të mërkurën.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

/GazetaSinjali/