image Apeli konfirmon aktakuzën ndaj deputetit të VV-së, ngarkohet me dy vepra penale

Drejtësi

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj deputetit të VV-së, ngarkohet me dy vepra penale

news image

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.

Ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Ramadani, avokatit Naser Sopjani, e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e datës 8 shtator 2021 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Ramadani, me arsyetimin se pretendimet e të njëjtit janë të paqëndrueshme, të paargumentuara dhe të pambështetura në ndonjë arsye konkrete, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.

/GazetaSinjali/