Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën ndaj nëntë doganierëve të Prizrenit, Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, të cilët ngarkohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas aktakuzës Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, po akuzohen se në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare, duke bartur duhan në sasinë 80 mijë kilogramë nga Shqipëria në Kosovë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në shumën prej 3 milionë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”
Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të këtij viti kishte refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve Malaj, Hasimja, Bobi, Dana, Zeka, Berisha, Oseku, Kurshumlija, Syla dhe Arifaj.
Kundër këtij vendimi, mbrojtja brenda afatit ligjor kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me ç’rast kjo e fundit i ka refuzuar ankesat si të pabazuara, raporton Betimi për Drejtësi.