image Anulohet seanca gjyqësore ndaj deputetit Etem Arifi

Drejtësi

Anulohet seanca gjyqësore ndaj deputetit Etem Arifi

news image

Është anuluar seanca gjyqësore e cila ishte paraparë që të mbahej sot, ku deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve të Kosovës, Etem Arifi, pritej që sërish të dilte para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Nga zyra e gjykatësit Vesel Ismajli është bërë e ditur se gjykatësi Naser Foniqi mungon pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe si shkak i mungesës së tij nuk është arritur që të kompletohet trupi gjykues. Sipas tyre, paraprakisht dje është anuluar seanca gjyqësore dhe për këtë janë njoftuar edhe palët, përcjellë Gazeta Sinjali.

Gjykata e Apelit, kishte vendosur që Arifi të rigjykohet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, për të cilën ishte liruar nga gjykata e shkallës së parë.Etem Arifi ishte dënuar më 20 prill 2018, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.Me dy vjet burgim me kusht, për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi.

Por, sipas aktgjykimit të shkallës së parë, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës së verifikimit prej tre vjet pas plotfuqishmërisë së dënimit.Etem Arifi, akuzohej edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, mirëpo ai ishte liruar nga kjo akuzë, pasi sipas gjykatës së shkallës së parë, nuk është provuar se ai ka kryer këtë vepër penale.Të akuzuarit ishin obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Etem Arifi akuzohej se ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646.00 euro.Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë Etem Arifi, në shtator të vitit 2020, është vetë dorëzuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për vuajtje të dënimit.

/Gazeta Sinjali/