image Vazhdon seanca gjyqësore ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Drejtësi

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj Gucatit dhe Haradinajt

news image

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe sot do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Për të katërtën ditë me radhë, dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper, do të vazhdojë të dëgjohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë ditës së djeshme, avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë. Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish-zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej të mbaheshin nën vëzhgim zyrat e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.

Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.

Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper, i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, shumë pyetje të të cilit janë kundërshtuar nga prokurorja, Valeria Bolici.

Zenka Pumper ka thënë se vendimi për mbajtjen nën vëzhgim, të zyrës së OVL-UÇK ka qenë i prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë marrë pjesë në seancë me prezencë fizike.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë./Gazeta Sinjali/