Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni nuk ka respektuar udhëzimet e Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilat ishin të rekomanduara për mbajtjen e seancës së sotme.
Gjatë fjalimit të kryeministrit, Albin Kurti, Quni ka hyrë në sallë dhe është ulur shumë afër ministrit të Integrimeve Evropiane, Blerim Rekës, duke mos e respektuar distancën e rekomanduar prej dy metrash.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka kthyer përgjigje dje kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila kishte kërkuar rekomandim në lidhje me mbajtjen apo jo të seancës për rrëzimin e qeverisë për, siç është thënë “sigurinë e shëndetit të deputetëve”.
Përgjigja që IKSHPK e kishte dërguar në Kuvendin e Kosovës nuk e ndalon mbajtjen e seancës.
Një nga elementet që është theksuar në këtë letër, është se nëse mbahet seanca deputetët duhet të mbajnë distancën prej 2 metrash, sic edhe thuhet në vendimin e Qeverisë dhe rekomandimet e Institutit./Gazeta Sinjali/