Anglia ka prerë biletën për në çerekfinale të Kupës së Botës, pasi mposhti Meksikën me rezultat 3-2 në një duel spektakolar të zhvilluar në stadiumin “Azteca”.
Sfida dhuroi ritëm të lartë, pesë gola dhe shumë emocione, ndërsa figura kryesore e takimit ishte Jude Bellingham, i cili realizoi dy herë për kombëtaren angleze.
Fillimi i ndeshjes ishte i vështirë për Anglinë. Që në minutën e parë, Declan Rice u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa Meksika mori kontrollin e lojës dhe krijoi rastin e parë të rrezikshëm. Në minutën e 15-të, Raul Jiménez provoi me kokë, por Jordan Pickford reagoi në mënyrë vendimtare.
Edhe pse vendasit ishin më kërkues në fazën e parë të ndeshjes, ishte Anglia që zhbllokoi rezultatin në minutën e 36-të. Pas një krosimi të Bukayo Saka, Jude Bellingham u gjend në vendin e duhur dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm dy minuta më pas, mesfushori anglez realizoi edhe golin e dytë personal. Pas një aksioni të ndërtuar mirë dhe bashkëpunimit me Harry Kane, Bellingham e çoi rezultatin në 2-0.
Meksika reagoi para përfundimit të pjesës së parë. Në minutën e 42-të, Julian Quiñones shfrytëzoi një top të mbetur në zonë pas një ndërprerjeje dhe ngushtoi epërsinë në 2-1. Deri në pushim, vendasit vazhduan të sulmonin, por Pickford dhe mbrojtja angleze arritën ta ruanin avantazhin.
Fraksioni i dytë nisi me raste për Anglinë, por në minutën e 53-të situata ndryshoi kur Jarell Quansah u përjashtua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje të ashpër, vendim që u konfirmua edhe pas rishikimit në VAR.
Pavarësisht se mbeti me një futbollist më pak, Anglia fitoi penallti pesë minuta më vonë, pasi Anthony Gordon u pengua brenda zonës. Nga pika e bardhë, Harry Kane nuk gaboi dhe shënoi për 3-1.
Meksikanët nuk hoqën dorë nga përpjekjet dhe në minutën e 68-të fituan edhe ata një penallti, pas një rasti të verifikuar nga VAR. Raul Jiménez e ktheu në gol, duke rikthyer shpresat e vendasve.
Në minutat e mbetura, Meksika ushtroi presion të madh në kërkim të barazimit, ndërsa Anglia u mbrojt me sukses deri në fund, duke i rezistuar edhe 11 minutave shtesë.
Falë këtij triumfi, Anglia avancon në çerekfinale, ku e pret Norvegjia, skuadër që në fazën e kaluar eliminoi Brazilin. Përballja mes dy kombëtareve është paraparë të zhvillohet më 11 korrik në Miami.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!