image Martesat e rreme për të marrë letrat në Angli - Arrestohen 5 “krushqit” shqiptarë, zbulohet skema e mashtrimit

Diasporë

Martesat e rreme për të marrë letrat në Angli – Arrestohen 5 “krushqit” shqiptarë, zbulohet skema e mashtrimit

news image

Pesë shtetas shqiptarë janë akuzuar nga autoritetet britanike për përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi me martesa fiktive, e cila dyshohet se synonte sigurimin e të drejtës së qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Prokurorisë së Kurorës (CPS), të cilës i referohet Top Channel, të dyshuarit akuzohen se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të pretenduar se ishin të martuar me shtetas të Bashkimit Evropian, të cilët gëzonin të drejtën e qëndrimit në Britani në kuadër të Skemës së Vendosjes së BE-së (EU Settlement Scheme), e krijuar pas Brexit-it.

Hetimet kanë nisur pas një sërë operacionesh të zhvilluara nga Home Office në Angli dhe Uells më 17 qershor. Sipas autoriteteve, të dyshuarit kanë siguruar certifikata të rreme martese, të paraqitura si të lëshuara në Qipro, me qëllim që të dëshmonin lidhje martesore me shtetas të BE-së dhe të përfitonin status qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Kastriot Hoxha, 31 vjeç, Sina Ervin, 35 vjeç, Kadri Sinamati, 28 vjeç dhe Valdet Qoshi, 40 vjeç, përballen me akuza për mashtrim dhe shkelje të ligjit të emigracionit. Ata janë lënë në paraburgim dhe pritet të paraqiten më 16 korrik në Gjykatën e Kurorës në Sheffield për seancën paraprake.

Përveç akuzave për mashtrim, Kastriot Hoxha akuzohet edhe për posedim të kanabisit me qëllim furnizimin.

Ndërkohë, shqiptari i pestë, Denis Hani, 30 vjeç, ka pranuar fajësinë për mashtrim me deklarim të rremë dhe dy vepra të tjera penale. Ai u akuzua më 17 qershor dhe një ditë më vonë pranoi fajësinë në Gjykatën e Magjistraturës në Birkenhead. Hani është lënë në paraburgim dhe do të dënohet më 16 korrik në Gjykatën e Kurorës në Liverpool.

Prokurori i lartë i CPS për Yorkshire dhe Humberside, Shaun Sigamoney, ka theksuar se pranimi i fajësisë nga njëri prej të akuzuarve nuk ndikon në procedurat ndaj katër të pandehurve të tjerë, të cilët gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

“Njëri prej të akuzuarve ka pranuar fajësinë, por kjo nuk ndikon në çështjen e katër të tjerëve, të cilët konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Procedurat penale janë në zhvillim dhe të gjithë kanë të drejtën e një gjykimi të drejtë”, tha ai.

Autoritetet britanike u kanë bërë thirrje mediave dhe publikut që të shmangin publikimin e informacioneve apo komenteve që mund të ndikojnë në procesin gjyqësor që është ende në zhvillim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/