Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, ka hedhur poshtë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ai po ashtu ka bërë të qartë se LDK nuk dëshiron që koalicioni Nisma-AKR të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme.
“Nuk ka zgjedhje sigurt, dhe nuk duhet të ketë. Kjo pasi që janë të gjitha konditat e krijimit të një qeverie të re dhe kur i shtojmë kësaj gjendjen në të cilën gjendet Kosova, atëherë nuk ka kurrfarë interesi që të dërgohet vendi në zgjedhje”, ka thënë Avdyli në T7.
Më tutje Avdyli ka thënë se nuk preferon që të ketë një koalicion me Nismën dhe AKR-në, pasi që sipas tij qytetari nuk e deshi më PAN-in në qeveri.
“Nuk jam për që Nisma dhe AKR të jenë pjesë e qeverisjes. Qytetari votoi për opozitën dhe këto parti si pjesë të koalicionit PAN nuk kanë pasur përkrahje”
“Qëndrojmë më mirë se koalicioni i fundit. Qeveria Haradinaj ka pasur vetëm 39 deputetë. Koalicioni jonë do të ketë 59 së paku si dhe 20 deputetët e pakicave që Kushtetuta ua obligon që të jenë pjesë e qeverisjes”, ka deklaruar ai./Gazeta Sinjali/