image Amerikanët interesohen për vettingun, delegacioni nga Washingtoni takon Haxhiun

Politikë

Amerikanët interesohen për vettingun, delegacioni nga Washingtoni takon Haxhiun

news image

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në takim një delegacion të udhëhequr nga zëvendësndihmës Sekretarja e SHBA-së në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Lisa Johnson dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Sipas ministrisë të cilën e drejton Haxhiu, raporti me ambasadën amerikane vlerësohet të jetë ‘i shkëlqyer’.

Bashkëpunim të shkëlqyer e quajti ministrja Haxhiu raportin me Ambasadën Amerikane në Kosovë, e cila ndër të tjera, përmes programeve si INL, OPDAT dhe ICITAP vazhdon të mbështesë procese të rëndësishme të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, shkruan në komunikatë.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar edhe për temat që ‘zgjuan interesimin’ e Johnson, e që sipas saj, janë sundimi i ligjit, lufta anti-korrupsion, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë.

Sundimi ligjit, lufta anti-korrupsion, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë-duke përfshirë edhe aspektet e drejtësisë penale, ishin tema të cilat zgjuan interesim nga zv.ndihmës sekretarja Johnson, duke trajtuar po ashtu me një vëmendje të shtuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë në nismat e saj që parandalojnë dhe luftojnë dukurinë e dhunës në familje”, njofton MD.

Në komunikatë tutje thuhet se Johnson “në kuadër të agjendës së SHBA-së në luftën globale kundër korrupsionit e vlerësoi si partner të rëndësishëm Republikën e Kosovës – duke e vlerësuar Kosovën si partner të rëndësishëm”.

Në kuadër të agjendës së SHBA-ve në luftën globale kundër korrupsionit, znj. Johnson e vlerësoi si partner të rëndësishëm Republikën e Kosovës, për çka vlerësoi se ky bashkëpunim do të sjellë edhe rezultatet e saja në forcimin dhe zbatimin e ligjit dhe rendit juridik. Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë rezultate të mira dhe se i njëjti do të vazhdojë edhe më tej për t’i kontribuar forcimit të sundimit të ligjit dhe drejtësisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

/GazetaSinjali/