image Ambasada amerikane në Serbi: Ratko Mlladiq nuk duhet të jetë fytyra e Beogradit

Rajon

Ambasada amerikane në Serbi: Ratko Mlladiq nuk duhet të jetë fytyra e Beogradit

news image

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi ka thënë se “Ratko Mlladiq nuk duhet të jetë fytyra që Beogradi i tregon botës”.

“Shtetet e Bashkuara dhe Serbia janë të përkushtuara ndaj vlerave thelbësore, përfshirë tolerancën, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Nganjëherë është sfiduese të pajtohesh me momente të vështira të së kaluarës – si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Serbinë – por nuk ka asgjë të respektueshme në mbrojtjen e memorialit të një krimineli lufte.”

“Shpresojmë që Serbia do të përqendrohet në një të ardhme më të ndritshme, më gjithëpërfshirëse, në vend se të kalojë sërish nëpër dhimbjen, errësirën dhe ndarjet e viteve të 90-ta”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane.

Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga madhërimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i krimeve të luftës, si dhe që të punojë për pajtimin, ka thënë zëdhënësja e BE-së Ana Pisonero e pyetur nga Zëri i Amerikës për zhvillimet e fundit rreth muralit për Ratko Mlladiqin.

“Një vend që aspiron anëtarësimin në BE pritet të përafrohet me vlerat thelbësore të BE-së – sundimin e ligjit, demokracinë, drejtësinë”, tha zëdhënësja Pisonero në një përgjigje me shkrim.

Të mërkurën, Gjorgjo Vujoviq, nga Partia Socialdemokrate serbe, hodhi gëlqere mbi muralin, një natë pasi policia parandaloi grupet e veprimtarëve për ta hequr atë. Organizatat e ndryshme për të drejtat e njeriut në Serbi kanë thënë se me pengimin e nismës për heqjen e muralit, pushteti u vu në mbrojtje të kriminelëve të luftës./Gazeta Sinjali/