image Aliçkaj tregon se cilat ishin fjalët e fundit që ia kishte thënë Nazlije Sherifi

Sociale

Aliçkaj tregon se cilat ishin fjalët e fundit që ia kishte thënë Nazlije Sherifi

news image

Valmir Aliçkaj nga Deçani, i cili kishte dalë vullnetar për t’i dhuruar veshkën 19-vjeçares nga Mitrovica, Nazlija Sherifit, ka folur sot pas vdekjes së saj, shkruan Gazeta Sinjali.

Aliçkaj tha se Nazlija ka pasur shumë ëndrra dhe se i ka kërkuar që ta vizitojnë Deçanin, pas operacionit.

Ai ka thënë se fjalët e fundit të 19-vjeçares kanë qenë se ata të dy do t’ia dalin së bashku me ndihmën e Zotit.

Valmiri dhe Nazlija duke festuar bashkë Vitin e Ri në spital

“Ajo e ka dashur shumë borën. Ka pasur shumë ëndrra, ka dashur t’i kthehet fakultetit e shoqërisë. Ka dashur shumë dëshirë që të vizitojë Deçanin. Më ka thënë se si të kryhet operacioni do ta vizitojë Deçanin”, tha Aliçkaj në T7, përcjell Gazeta Sinjali.

Aliçkaj i cili është baba i një vajze, tha se ka qenë i vendosur që do t’ia dhurojë veshkën Nazlijes, ani pse mjekët e kishin paralajmëruar se gjendja e tij shëndetësore nuk do të jetë e njëjtë më.

Kujtojmë që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raportoi sot se në mesin e shtatë personave që vdiqën nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit është edhe një pacient 19-vjeçar, për të cilin QKUK konfirmoi se ishte Nazlije Sherifi.

Në përgjigjen e QKUK-së për Gazetën Sinjali thuhej se 19-vjeçarja ishte konfirmuar pozitive me COVID-19 në Spitalin e Mitrovicës, më 2 janar.

Ndërkaq, vëllai i Nazlijes, Ilir Sherifi, në një bisedë përmes telefonit i tha gazetës se ai do ta padisë IKSHPK-në, pasi që sipas tij, ky institut ka manipuluar rezultatin e testit PCR për motrën e tij, e cila thotë se nuk ishte e infektuar me koronavirus./Gazeta Sinjali/