image Aleanca ofron mbështetje për formimin e institucioneve, tregon gjashtë kushte për qeverinë e re

Politikë

Aleanca ofron mbështetje për formimin e institucioneve, tregon gjashtë kushte për qeverinë e re

news image

Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mbështesë krijimin e institucioneve të reja, por pa kërkuar poste qeveritare dhe pa vendosur kushte që lidhen me përfitime partiake.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka theksuar se AAK kërkon vetëm një marrëveshje publike të bazuar në gjashtë prioritete strategjike për zhvillimin e vendit.

“Asnjë post për vete, asnjë interes partiak. Vetëm një marrëveshje e hapur për qytetarët e bazuar në këto 6 kërkesa strategjike”, ka shkruar ai.

Sipas platformës së publikuar nga AAK, mbështetja për krijimin e institucioneve do të jepet pa pjesëmarrje në qeveri, nëse qeveria e ardhshme pranon gjashtë kërkesat: miratimin e projektit të gazit amerikan si prioritet shtetëror, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimin nga tatimi në pronë të tokës së punuar për të nxitur prodhimin vendor, financimin e plotë të projekteve rrugore kapitale të mbetura pezull, si dhe krijimin e një fondi emergjent prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.

Tahiri, në fund të postimit, ka theksuar se Aleanca e ka bërë pjesën e saj dhe se tani është radha që të merren vendime që, sipas tij, janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/