image Albin Kurti tri ditë kryeministër thyen tri premtime që i kishte dhënë

Kosovë

Premtime/ Albin Kurti tri ditë kryeministër thyen tri premtime që i kishte dhënë

news image

Kanë kaluar vetëm tri ditë që prej kohës kur Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës. Vetëm deri më tani Kurti ka thyer tri premtimet që i kishte bërë për ta fituar postin e kryeministrit, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti kishte premtuar njerëz pa aktakuza, kishte premtuar publikimin e programit qeverisës dhe vetëm 12 ministri me 26 zv/ministra. Asnjërën prej fjalëve të dhënë nuk e ka mbajtur Albin Kurti.

Kryeministri i ri kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se deputetët e legjislaturës së shtatë do ta kenë planprogramin kur do ta votojnë Qeverinë Kurti, por kjo nuk ka ndodhur.

Kurti në fjalimin e tij kishte thënë së shpejti do ta publikojë në faqen zyrtare plan programin qeverisës. Ndërkohë që deputetët e legjislaturës së shtatë kanë votuar për Qeverinë Kurti pa planprogram, ndërsa as pas tri ditësh planprogrami qeverisës nuk është publikuar askund.

“Më lejoni të filloj prej asaj më të rëndësishme e që për shkak të tij ekzistojmë edhe ne si parti e së shpejti edhe si qeveri. Programi i plotë do të publikohet së shpejti në faqen zyrtare, por unë do të prezantojë këtu para jush në pika të shkurta”, kishte deklaruar Kurti në seancën ku u votua Qeveria Kurti.

Veç kësaj, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore, në disa debate televizive e tubime publike, kishte deklaruar se plani i qeverisë së tij është të zvogëlojë numrin e ministrive në qeveri, e si rrjedhojë e kësaj do të zvogëlohej edhe numri i zëvendësministrave.

I pari i qeverisë më 2 shkurt, doli në një konferencë për media bashkë me kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe njoftuan se këto dy parti (LDK dhe LVV) kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion. Kurti gjatë asaj konference deklaroi se janë marrë vesh që ekzekutivi t’i ketë rreth 33 zëvendësministra e 15 ministri.

“Jemi dakorduar që në Qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra”, sepse siç tha ai, do t’i zvogëlojnë shpenzimet dhe këto para mund të përdoren për investime tjera.

Tani, Kurti kabinetit qeveritar ia shtoi edhe tri ministri, pra nga 12 ministri sa kishte thënë fillimisht gjatë kohës sa ishte në opozitë, tani Qeveria Kurti ka 15 ministri. E për më tepër numri i zv/ministrave nuk duket aspak i njëjtë me atë çfarë kishte premtuar Kurti.

Kurti gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se do të kishte dy zv/ministra për çdo ministri. Por gjatë negociatave me LDK-në kishte dhënë numër tjetër. Ai kishte thënë se do të kishte rreth 33 zv/ministrave, por vetëm disa ditë pasi i bë kryeministër, ka thënë se së shpejti do të emërohen 35 zv/ministrat në Qeverinë Kurti.

E të zëshëm kishin qenë mjaftë shumë LDK dhe VV gjatë kohës sa ishin në opozitë për ministrat e zv/ministrat me aktakuzë në Qeverinë Haradinaj. Edhe VV edhe LDK, pajtoheshin që në qeverinë e tyre të përbashkët të kishin njerëz siç thoshin ata me “duar të pastërta”.

Por vetëm tri ditë pasi u themelua Qeveria Kurti, ministri i Brendshëm Anton  Quni, emëroi këshilltar të tij ish-ministrin e Brendshëm që po përballët me drejtësinë, Rrustem Berishën.

E ky i fundit akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Berisha është në listën e një prej 12 të akuzuarve për mashtrimet me listat e veteranëve të UÇK-së. Këshilltari i Ministrit Anton Quni, Rrustem Berisha, si pjesë e komisionit qeveritar që bënte njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, u intervistua nga Gjykata Themelore në Prishtinë për fryrjen e listave të veteranëve./Gazeta Sinjali/