image Albin Kurti takon Apostolovën, diskutojnë për formimin e Qeverisë

Kosovë

Politikë/ Albin Kurti takon Apostolovën, diskutojnë për formimin e Qeverisë

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka pritur dje në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalya Apostolova.

Apostolova uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi. Teksa tha se me përjashtim të pjesës veriore, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe rregullt.

“Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit”, citohet të ketë thënë Apostolova sipas komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti e ka falënderuar shefen e Zyrës së BE-së për vizitën dhe gjithashtu ka shprehur shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit. Ai ka thënë se nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje, si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokal.

Lideri i Vetëvendosjes citohet të ketë përmendur nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane.

Kurti gjithashtu tha se e ka mirëpritur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit. Ata kanë theksuar rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social, sundimin e ligjit, zbatimin e MSA-së dhe çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë./Gazeta Sinjali/

Image may contain: 3 people, people smiling, people sitting, table and indoor
Image may contain: 2 people, people smiling, people sitting, table and indoor