Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems. Sipas njoftimit, ambasadorja Willems e ka uruar Kurtin për procesin zgjedhor dhe ka ndarë shpresën që pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, institucionet të formohen sa më parë.
Aty thuhet të jetë interesuar për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofroj mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian.
Kreu i VV-së citohet t’i ketë thënë ambasadores se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe pjesëmarrjen e diasporës në zhvillimin ekonomik.
“Kurti përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesional që do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa ambasadorja Willems ka thënë se prioritetet e qeverisë së ardhshme përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE).
“Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e Sundimit të Ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.
Në takim morën pjesë edhe anëtarja e Kryesisë së VV-së, Arbërie Nagavci dhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherit anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Agim Bahtiri, dhe nga zyra e ambasadores mori pjesë Zëvendës Shefi i Misionit, Peter van der Bloemen dhe Zyrtarja e Lartë për Sundimin e Ligjit në këtë ambasadë, Venera Ramaj./Gazeta Sinjali/