image Albin Kurti përgjigjet para shefes së BE-së se a do ta heq taksën 100% ndaj Serbisë

Kosovë

Albin Kurti përgjigjet para shefes së BE-së se a do ta heq taksën 100% ndaj Serbisë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolovën, ku ndër të tjerash është folur edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë.

Kurti ka thënë fillimisht se Serbinë dhe Bosnjën nuk do ta vendosë asnjëherë në të njëjtën fjali. Ai thotë se taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtare si zëvendësim për tarifën 100%”, ka deklaruar Kurti

Më tutje Kurti ka thënë se në zgjedhjet e fundit edhe VV dhe edhe LDK-ja kanë marrë mbështetjen e qytetarëve duke treguar se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet.

 “Pra ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, por do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje të integriteti e dinjiteti me parimin  i cili më së shumti njihet me raportin e fqinjësisë, ky është reciprociteti”.

“Edhe LDK edhe VV edhe unë e edhe zonja Osmani më shumë se 60% të shqiptarëve kanë qenë me parimin e reciprociteti. E unë besoj që edhe ata që kanë janë sot në opozitë, ose ata që nuk na votuan, por unë do të jem kryeministër edhe i atyre, mund të mos pajtohen me mua për çështje të ndryshme, por për reciprocitet duhet të pajtohen”, ka deklaruar Kurti./Gazeta Sinjali/.