Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sonte në një intervistë për Top Channel se njerëzit në Kosovë nuk dëshirojnë ta japin Mitrovicën për bashkim kombëtar. Sipas tij e gjithë kjo ka ardhur për shkak të frikës nga ideja për shkëmbimin e territoreve.
Ai ka thënë se VV nuk ka hequr dorë nga koncepti, por thotë se kanë bërë llogarit politike.
“Rënia e dëshirës për bashkim vjen nga ideja e shkëmbimit të territoreve. Njerëzit nuk duan të japin Mitrovicën për bashkim kombëtar. Në Kosovë ka shumë politikanë që flasin për shkëmbim duke hequr dorë nga veriu. Në Serbi nuk ka asnjë politikan që flet për falje territori. Ne nuk heqim dorë, konceptin nuk e kemi ndryshuar, mënyrën dhe strategjinë po, kemi bërë edhe ne llogari politike. Ne kohët e fundit kemi theksuar atë që dihet më pak; nuk konsiderojmë që shqiptarët janë të varfër e të papunë për shkak të kulturës së Shqipërisë, ose prej pasjes ose mospasjes, por për shkak të modelit të gabuar politik. Kemi rimarrë një ide të braktisur, s’është e jona, bashkimi kombëtar na bën ne më shumë se ne e bëjmë në atë, ai na bën ne dhe ne e përbëjmë atë”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama derisa ka shtuar se mospajtimet mes tyre po keqpërdoren nga ata që nuk e duan bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
“Shpreh pakënaqësinë time lidhur me keqpërdorimin që i bëhet kritikave dhe mospajtimeve mes meje dhe Ramës, dhe këto keqinterpretime bëhen nga ata që nuk duan bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se kanë afërsi me PS-në dhe se dega e tyre në Shqipëri nuk është as pozitë e as opozitë.
“Kemi afërsi me PS-në, por dega jonë në Shqipëri, nuk është as pozitë dhe as opozitë. Unë nuk jam Bojken Abazi as Enis Sulstarova, ata drejtojnë degën e Shqipërisë dhe mund ta pyesni atë”.
Kurti deklaroi se ka pasur gjithnjë debate të forta me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërkaq duke folur për marshimin Lëvizja Vetëvendosje me datë 28 nëntor do të bëjë në Tiranë një marshim dhe kryeministri Rama e ka quajtur këtë gjë një lajthitje.
“Lajthitje? Çfarë të them unë, tani mendoj se nuk është lajthitje, nuk di çfarë të them. Të bësh aktivitete publike për bashkim, kjo është gati detyrë”, ka thënë Kurti./Gazeta Sinjali/