Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryesia e këtij subjekti politik, familjarë e miq të Deharit kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit prej ku u kërkua që autorët që i morën jetën aktivistit të VV-së, të vihen para drejtësisë.
Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Astrit Dehari ishte aktivist i dalluar i cili ishte plotë vullnet e pozitivitet i vendosur në qëndrimin e tij dhe palëkundur në idealin që e kishte.
Konjufca tha se sot Astrit Dehari po përkujtohet në dritën e një ekspertize të re nga Zvicra e cila tregoi se Astriti as nuk e humbi jetën aksidentalisht, as nuk u vetëvra, por prapa kësaj ngjarje fshihet një krim që dorasit e tij duhet të vihen para drejtësisë.
Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje dhe populli shqiptar do e kujtojnë Astrit Deharin si simbol të drejtësisë dhe se asnjëherë nuk do ndalen derisa dorasit e këtij krimi të dalin para bankave të drejtësisë.
Kurse, babi i të ndjerit Astrit Dehari, Avniu falënderoi të gjithë në emër të familjarëve për mbështetjen që po i ofrojnë familjes së tij në këto ditë.
Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një sërë aktivitetesh.
Duke filluar nga ora 12:00 do mbahet marshi me moton “Një popull për drejtësi”, pastaj në selinë qendrore të Vetëvendosjes do të dhurohet gjak.
Ndërsa në qytetin e Prizrenit do ndizen qirinj për të përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje i cili u gjet i vdekur në qelinë ku po mbahej./Gazeta Sinjali/