Mashtrimet e bizneseve në Kosovë duke joshur konsumatorët me çmime joreale nuk kanë të ndalur. Me një rast të tillë është përballur sot një qytetar në pompën e derivateve “Alba Petrol”, në Gjilan. Çmimi që kjo kompani ka vënë në reklamë dhe çmimi që është dashur të paguajë qytetari për një litër naftë nuk ka qenë i njëjtë.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, sinjalizuesi ka treguar se ka paguar 7 centë më shtrenjtë se sa ka qenë e reklamuar në tabelën e kompanisë.
“Sot kam paguar gati 1 euro e 16 centë për litër të naftës e çmimi në reklamë ka qenë 1 euro e 9 centë, pra afër 7 centë më shtrenjtë për litër. S’din njeri ku mu anku për këtë gjendje”, tha sinjalizuesi.
Sinjalizuesi ka dërguar pamje për ta dëshmuar çmimin e derivateve që ka mbushur automjetin e tij dhe dallimin që ka ky çmim me atë që është reklamuar.
Në fotografinë e mëposhtme shihet se qytetari është furnizuar me afër 9 litra naftë, e sipas llogaritjeve i bie se ka paguar 63 centë më shumë.
Çka i tha punëtori i “Alba Petrol” sinjalizuesit pas reagimit të tij për këtë çmim
Sinjalizuesi tutje ka treguar për Sinjalin se i ka pyetur punëtorët e pompës “Alba Petrol” se pse po ndodh një gjë e tillë dhe qytetarët po bien bre e këtyre mashtrimeve.
Sipas tij, punëtorët e kësaj kompanie janë arsyetuar se “faji nuk është i tyre”, raporton Sinjali.
“E pyeta punëtorin pse ky mashtrim, tha shefat e kanë vendosë, unë nuk kam faj. I thashë por ti nuk guxon me reklamu 1 euro e 9 centë e me shitë 1 euro e 15.9 centë“, ka thënë sinjalizuesi.
Sinjali do të ju sjellë edhe versionin e kësaj kompanie lidhur me joshjen e konsumatorëve me çmime joreale.