image Akuzohet që sulmoi policët, as pas 8 muajsh nuk caktohet seanca për deputetin e Vetëvendosjes

Drejtësi

Akuzohet që sulmoi policët, as pas 8 muajsh nuk caktohet seanca për deputetin e Vetëvendosjes

news image

Pas kalimit të më shumë se 8 muajve kur Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Salih Zybën, seanca për këtë rast ende nuk është caktuar.

Deputeti Zyba po akuzohet se në gusht të 2015-ës ka fyer e sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë tek Komuna e Prishtinës të cilëve i’u kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore

Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Për këtë rast, sipas shkresave të lëndës më 10 qershor 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilën i akuzuari Zyba ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që ngarkohet me aktin akuzues.

Lidhur me këtë, kjo gjykatë më 1 korrik 2021 kishte marr aktvendim me të cilin kishte refuzuar si të pa bazuar kërkesën e për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës nga i akuzuari Zyba.

Deri tek ky vendim, gjykata kishte ardhur pasi që kishte vlerësuar se kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ishin të pa mbështetura në gjendjen reale dhe provat të cilat ishin bashkangjitura në shkresat e lëndës, dhe sipas këtij vendimi provat e grumbulluara kishin bazë të mjaftueshme për dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Kundër këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit ankesë kishte parashtruar i akuzuari Zyba.

Më 23 korrik 2021, Gjykata e Apelit të Kosovës kishte nxjerrë aktvendim me të cilin kishte refuzuar si të pa bazuar ankesën e të pandehurit Zyba.

Në vendimin e Apelit thuhet se në rastin konkret nuk qëndrojnë pretendimet e të pandehurit se aktakuza është e mangët por se e njëjta sipas Apelit është përpiluar në pajtim me nenin 241 paragrafi 1 të KPP-së dhe e njëjta nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 20 janar 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Salih Zyba po akuzohet se më 28 gusht 2015 ka sulmuar zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare tani të dëmtuarit Sami Halimi dhe Veton Islami.

Në aktakuzë thuhet se, deri sa të dëmtuarit Halimi dhe Islami ishin gjatë realizmit të lëvizjes së eskortës së Kryeministrit kanë pranuar informatën se dy persona të moshës së re kanë lëshuar një qese të mbushur me diçka të dyshuar tek rrethoja e Komunës së Prishtinës, dhe të njëjtit kanë shkuar në atë lokacion për të verifikuar se për çfarë qese bëhet fjalë në mënyrë që të eliminohet dyshimi për ndonjë mjet të dyshuar.

Në ato momente, sipas aktakuzës nga dera hyrës e Komunës ka dal tani i pandehuri Zyba duke thirrur me zë të lartë, duke fyer e pastaj edhe duke sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të cilit ishin të angazhuar në detyrë zyrtare.

Aktakuza thotë se i pandehuri Zyba ka përdoruar dhunën ku si rezultat i sjelljeve agresive ka lënduar dy zyrtarët policor me ç’rast të njëjtëve ju ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këto veprime, Zyba po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

/GazetaSinjali/