image Akuzohet për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba, burri i kërkon gjykatës dënim sa më të lehtë

Drejtësi

Akuzohet për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba, burri i kërkon gjykatës dënim sa më të lehtë

news image

Bajram Velija, që po akuzohet se vrau gruan e tij më 14 gusht të vitit 2019 në Prizren, ka kërkuar nga gjykata një dënim sa më të lehtë, pasi sipas tij vrasjen e ka kryer pa dashje.

Një gjë të tillë Velija e ka kërkuar në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë së cilës u dha fjala përfundimtare.

Prokurorja ka deklaruar se motivi i kryerjes së veprës penale ishte mosmarrëveshja paraprake që kishte i akuzuari me të ndjerën.

Ajo tutje tha se në veprimet e të akuzuarit ka ekzistuar dashja direkte, me arsyetimin se i njëjti kishte pasur vendosmëri për kryerjen e veprës penale, e se lidhur me këtë rast nuk kishte gjetur rrethanë lehtësuese, por vetëm rënduese.

E njëjta kërkoi nga gjykata shpalljen fajtor të të akuzuarit dhe shqiptimin e dënimit maksimal, të paraparë sipas dispozitave ligjore.

Ndërkaq, vet i akuzuari Velija tha se nuk ka pasur mosmarrëveshje me tani të ndjerën, por se kanë pasur jetë të mirë.

Ai i kërkoi falje të gjithë familjarëve dhe vajzave, duke shtuar se asgjë s’kishte pasur të planifikuar në këtë rast, por se në ato momente ndaj tij kishte pasur fjalë që ishin të papëlqyeshme dhe se nuk e di se çfarë kishte ndodhur me të atë ditë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fund, i akuzuari Velija kërkoi nga gjykata një dënim sa më të lehtë për hir të moshës, vuajtjes nga disa sëmundje kronike, pendimit të tij, e për faktin se nuk ka pasur dashje.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar për datën 1 tetor 2021, në ora 09:00.

/GazetaSinjali/