image Akuzat për shmangie të mbi 24 mijë euro tatim shtetit, shtyhet gjykimi ndaj Sinan Vllasaliut

Drejtësi

Akuzat për shmangie të mbi 24 mijë euro tatim shtetit, shtyhet gjykimi ndaj Sinan Vllasaliut

news image

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Sinan Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, është shtyrë seanca në rastin ku këngëtari Vllasaliu ngarkohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

Kjo është konfirmuar nga zyra e gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica.

Avokati Latifaj, përmes parashtresës së 27 prillit 2023, kishte kërkuar shtyrjen e kësaj seance pasi që në të njëjtën kohë kishte edhe dy gjykime të tjera në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe atë Special.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale është caktuar më 19 qershor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, i njëjti nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

/GazetaSinjali/