image Aktivistit kundër luftës në Ukrainë i ndalohet hyrja në Serbi

Botë

Aktivistit kundër luftës në Ukrainë i ndalohet hyrja në Serbi

news image

Aktivisti kundër luftës në Ukrainë dhe themeluesi i Shoqërisë Demokratike Ruse, Peter Nikitin, tha për Radion Evropa e Lirë se më 13 korrik atij i është ndaluar hyrja në Serbi, me vendim të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).

Siç tha Nikitin, policia kufitare në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit i dha një vendim për t’i ndaluar hyrjen në Serbi.

Ai është ende në aeroport.

Sipas tij, në dokumentin, me të cilin i ndalohet hyrja, shkruhet se ndaj tij është në fuqi “masa mbrojtëse e largimit, masa e sigurisë e dëbimit të të huajit, gjegjësisht ndalimi i hyrjes në Serbi”.

“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, as policia nuk më jep ndonjë shpjegim tjetër, unë do të bëj denoncim për këtë, nuk do të lëviz nga aeroporti derisa të më lejojnë të hyj në vend ose të më deportojnë me forcë”, tha Nikitin.

Si erdhi ndalimi?

Sipas Nikitin, ai u ndalua në aeroport pasi u kthye nga pushimet vjetore, në orët e para të mëngjesit të 13 korrikut.

“Rreth një e gjysmë pas mesnate më kanë konfiskuar pasaportën në kontrollin e pasaportave dhe më kanë thënë të pres, disa herë kam pyetur se çfarë po ndodh. Katër orë më vonë më kanë thënë se kanë marrë urdhër nga Agjencia e Sigurimit dhe Informacioni (BIA) që nuk duhet të hyj në vend”, shtoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se kjo është “hera e parë që ndodh diçka e tillë”.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit ende nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it se pse Nikitinit iu ndalua hyrja në Serbi.

Kush është Peter Nikitin?

Peter Nikitin është një aktivist kundër luftës dhe kundërshtar i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin.

Ai është shtetas i Holandës, por prej vitit 2016 jeton në Serbi.

Atij iu dha lejeqëndrimi i përhershëm në Serbi.

“Unë kam edhe dy fëmijë shtetas të Serbisë. Unë jetoj në Beograd. Nuk kam ku të shkoj, shtëpia ime është këtu, në Serbi”, theksoi ai.

Shoqëria Demokratike Ruse, një nga themeluesit e së cilës është Nikitin, është një shoqatë e diasporës ruse në Serbi, e cila pas pushtimit rus të Ukrainës ka të anëtarësuar dhjetëra mijëra rusë.

Anëtarët e Shoqërisë Demokratike Ruse kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës dhe kanë organizuar tubime paqeje në Serbi.

Nikitin ka qenë disa herë shënjestër e sulmeve nga lëvizjet dhe organizatat e djathta për shkak të organizimit të tubimeve në mbështetje të Ukrainës.

Nikitin u ndalua tre ditë pas sanksioneve ndaj drejtorit të BIA-s

Ndalimi i aktivistit rus kundër luftës në aeroport erdhi tre ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë, Aleksander Vulin.

Si një nga arsyet, ndër të tjerash, SHBA përmendën lidhjet e Vulinit me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara i quajtën veprimet e Vulin “destabilizuese, gjë që mundësoi aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”.

Partia e Vulin, Lëvizja Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit me Partinë Progresive Serbe në pushtet, hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi SHBA-në.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim” ndaj Vulinit, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione kundër tij.

“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim”, tha Vuçiq, në reagimin e tij të parë pasi SHBA vendosi sanksione ndaj Vulinit.

/GazetaSinjali/