image Aktivisti për të drejtat e LGBTI-së, deputetes së VV-së: Shëromë nga kjo sëmundje - Sinjali

Aktivisti për të drejtat e LGBTI-së, deputetes së VV-së: Shëromë nga kjo sëmundje

news image

Gjatë ditës së sotme në seancën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës në rend të ditës ka qenë miratimi i Kodit Civil, pikë e cila është përcjellur me shumë debate mes deputetëve të cilët ishin të pranishëm në sallë.

Gjatë fjalimit, ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi ajo e cila e quajti degjenerim moral dhe shthurje të martesave mes gjinive të njëjta.

Për këtë deklaratë të deputetes ka reaguar aktivisti për të drejtat e LGBTI-së në Kosovë, Lend Mustafa, pasi që ajo kishte deklaruar se kjo është gjithashtu edhe një sëmundje.

Me këtë rast Mustafa e ftoi deputeten e VV-së që ta shërojë nga kjo sëmundje.

“E ftoj dhe inkurajoj deputeten Labinotë Demi-Murtezi të më shërojë nga kjo sëmundje, ashtu siç e kam sfiduar një “psikolog” nga Prizreni i cili është zhdukur nga faqja e dheut momentin që kam caktuar termin. Sëmundje më të rëndë se injoranca nuk ka miq”, u shpreh ai përmes një postimi në Facebook.

Ndërkohë deputetja kishte deklaruar se “Plotësimi i nevojave seksuale në forma të shthurura, në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut, përbën veprim që dëmton rëndë shëndetin publik, duke u bërë shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është HIV. Duke qenë se në kuvend kemi shumë deputetë që vijnë nga sfera e shëndetësisë. I sfidoj të gjithë me radhë nëse kjo nuk është e vërtetë”.

Sipas saj, arsyeja pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin