Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë, ndaj nënës M.B e cila kishte lindur djalin më 20 prill të këtij viti dhe e kishte fshehur në tavan. Nëna kishte lindur në shtëpi djalin dhe pas lindjes nuk i kishte prerë kërthizën.
Nëna nuk i kishte treguar askujt për lindje dhe e kishte lënë djalin në tavan, ku më pas ai ka ndërruar jetë.
“Sipas aktakuzës, e pandehura M.B., me datë 20.04.2019, rreth orës 21:00 në Prizren, në shtëpinë e saj familjare, në katin e dytë, në dhomën e saj, pa dijen dhe ndihmën e askujt nga familjarët, lindë të gjallë foshnjën e gjinisë mashkull, pas lindjes nuk ja pret kërthizën, më pastaj e mbështjellë me një xhemper e çon në tavanin e shtëpisë, ku e lë pa i treguar askujt, i porsalinduri ka jetuar disa orë, ku si pasojë e mbylljes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe asifiksisë, i porsalinduri vdes. Si e tillë, vdekja është jo e natyrshme, e konstatuar edhe në raportin e autopsisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizren.
Në njoftimin e Prokurorisë “me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura M.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” sipas KPRK-së”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë./Gazeta Sinjali/