image Aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë që me dokument të falsifikuar fitoi tenderin afër 1 milionësh për renovimin e Speciales - Sinjali

Aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë që me dokument të falsifikuar fitoi tenderin afër 1 milionësh për renovimin e Speciales

news image

Gazeta Sinjali kishte raportuar në dhjetor të vitit 2020 për arrestimin e Tahir Sopës, drejtor kompanisë “NBT ING SHPK” në Suharekë, i cili dyshohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik. I njëjti duke përdorur dokument të falsifikuar, ka arritur të fitojë tender në vlerë prej 811 mijë e 372 e 13 euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale në Kosovë. Sinjali merr vesh se ndaj tij, dje është ngritur aktakuzë.

Ashtu siç kishte raportuar Sinjali, edhe në aktakuzë thuhet se Tahir Sopa, akuzohet se ka falsifikuar dokumentin “Letër përkrahje” të datës 12.12.2019 të bankës NLB me të cilin gjoja se banka i ka siguruar përkrahje kompanisë së tij në vlerë prej 200 mijë euro.

Zyra e Prokurimit e Këshillit Prokurorial të Kosovës e pati përzgjedhur konsorciumin “NBT –ING” & “BAJRAMAJ” si fitues të këtij tenderi, që u nënshkrua më 28 prill të këtij viti.

“NBT-ING” është biznes i Sopës, i cili bashkë me biznesin “NPN BAJRAMAJ” e fituan këtë tender, vlera e parashikuar e të cilit ishte 999 mijë e 800 euro.

Letra me të cilin u fitua ky tender, nuk është lëshuar nga banka, por është falsifikuar tërësisht, thonë tutje burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë.

Prandaj, Tahir Sopa akuzohet se me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, duke e paraqitur një dokumentacion të rremë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtij dokumenti të rrejshëm është shpallur fituesi në vlerë prej 811 mijë e 372  euro, me ç’rast i ka shkaktuar dëm buxhetit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin