image Aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte që dyshohen se vranë 4 anëtarët e një familje në Ferizaj

Kosovë

Drejtësi/ Aktakuzë ndaj dy serbëve për krime lufte që dyshohen se vranë 4 anëtarët e një familje në Ferizaj

news image

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër dy personave me inicialet Z.K dhe D.SH. për veprat penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Tutje thuhet se i pandehuri, Z.K., gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, konkretisht rregullat e luftës të përcaktuara me Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë.

I pandehuri Z.K. me datë 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, ka marrë pjesë direkte në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë konkretisht të nëntëmbëdhjetë (19) anëtarëve të një familje që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjatë këtij aksioni, i pandehuri përveç tjerash ka marrë pjesë në maltretimin e anëtarëve të kësaj familje, shkatërrimin e pasurisë se tyre, dëbimin nga vendbanimi i tyre, rrëmbimin dhe vrasjen e civilëve O.N., B.N., A.N dhe B.N., anëtarë të kësaj familje.

Me këto veprime i pandehuri Z.K. në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së, e penalizuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës me nenin 146 si Krime të luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës.

Ndërkaq, i pandehuri D.Sh., gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave civil, respektivisht nenin 130 të Konventës së Katërt (IV) të Gjenevës të datës 12 Gusht 1949 në ndërlidhje me Protokollet Shtesë për katër Konventat e Gjenevës.

I pandehuri D.Sh., më 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qellim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të O.N., B.N., A.N., B.N dhe I.R, të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Me këto veprime i pandehuri D.Sh., ka kryer veprat penale Krimet e luftës kundër popullatës civil nga neni 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, e penalizuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës me nenin 146 si Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës’’.