Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër L.B., dhe A.R., shtetas të Shqipërisë, të cilët gjenden në paraburgim nga data 10.11.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëkryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Sipas aktakuzës, më 10.11.2019, rreth orës 02:15 në Prizren, është vërtetuar se të pandehurit në bashkëkryerje merreshin me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore.
Ata ishin identifikuar nga zyrtarët e policisë kufitare në Vërmicë, të cilët gjatë detyrës zyrtare, përmes vëzhgimit me dylbi në vendin e quajtur ‘’Foleja e Shqiponjës’’ në afërsi të krojeve të fshatit Vërmicë, kanë vërejtur një grup njerëzish duke kaluar ilegalisht kufirin nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës.
Të pandehurit së bashku me grupin e personave të tjerë janë ndalur nga Policia Kufitare dhe pas verifikimit nga zyrtarët policorë është vërtetuar se të njëjtit ishin shtetas të huaj nga Republika e Sirisë, të cilët më pas, së bashku me dy të pandehurit e lartpërmendur janë shoqëruar në stacionin policor në Vërmicë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale të kotrabandimit me migrantë. /Gazeta Sinjali/