image Aktakuza e Speciales: Anëtari i UÇK-së i urdhëroi dy të ndaluar në Prizren të kryenin marrëdhënie seksuale

Drejtësi

Aktakuza e Speciales: Anëtari i UÇK-së i urdhëroi dy të ndaluar në Prizren të kryenin marrëdhënie seksuale

news image

Në aktakuzën për krime lufte të Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila u publikua më 5 nëntor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përmenden edhe vepra të akteve çnjerëzore dhe trajtimit mizor, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas aktakuzës vepra të tilla janë kryer më 26 qershor 1999 në Prizren, që i bie 15 ditë pas hyrjes së forcave të KFOR-it në Kosovë dhe fillimit të tërheqjes së forcave kriminale ushtarake e paramilitare serbe.

Në pikën 125 të aktakuzës e cila është e redaktuar, prej 68 faqesh, thuhet se më 26 qershor, persona të ndaluar mbaheshin në Prizren, në qeli të improvizuara dhe në dhoma me mure të spërkatura me gjak, ku në një rast një anëtar i UÇK-së i urdhëroi dy të ndaluar të kryenin marrëdhënie seksuale.

Ndër të tjera, në këtë pikë, pretendohet se të ndaluarit u goditën me shkopinj, zinxhir, u dogjën me cigare e u kërcënuan me vdekje.

“125. Më 26 qershor 1999, ose rreth kësaj date, të ndaluarit në [REDAKTUAR] Prizren u mbajtën në qeli të improvizuara, [REDAKTUAR], dhe në dhoma me mure të spërkatura me gjak. Një numër anëtarësh të UÇK-së i rrahën egërsisht dhe keqtrajtuan psikologjikisht të ndaluarit. Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin me shkopinj, gypa gome, çekiçë, shkopinj gome dhe një zinxhir, u dogjën me cigare, u goditën me grushte e shkelma dhe/ose u kërcënuan me vdekje. Kur një i ndaluar kërkoi ujë, atë e detyruan të pinte hollues boje. Një anëtar i UÇK-së i urdhëroi dy të ndaluar të zhvisheshin dhe të bënin seks. Të ndaluarit dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë. Të ndaluarit, [REDAKTUAR], u morën në pyetje për përkatësinë etnike, armët, dhe lidhjet e tyre me serbët.”, thuhet në aktakuzë.

Pas ngritjes së kësaj aktakuze, Thaçi, Veseli, dhe Selimi janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua më 4 nëntor, pas një bastisje gati 10 orëshe në shtëpinë e tij.

Kujtojmë se nesër do të mbahet paraqitja e parë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

/GazetaSinjali/