image Aksioni i Prokurorisë në Kompaninë "Ambienti" në Pejë, reagon Sveçla

Drejtësi

Aksioni i Prokurorisë në Kompaninë “Ambienti” në Pejë, reagon Sveçla

news image

Krimet Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore zbarkuan mëngjesin e sotëm në Kompaninë Rajonale e cila merret me grumbullimin e mbeturinave ‘Ambienti’ në Pejë.

Aksioni po zhvillohet nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Pas kësaj, ka reaguar ministri i Punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se epoka e tolerimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar.

Sveçla ka theksuar se nga ky aksion, 7 persona ndodhen në paraburgim pasi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe do të japin llogari para drejtësisë për çdo keqpërdorim dhe dëm të shkaktuar.

Postimi i plotë:

Njësiti policor kundër krimeve ekonomike sot ka zhvilluar operacion në Kompaninë e Pastrimit “Ambienti” në Pejë. Bordi i kësaj ndërmarrje publike dhe zyrtarë të tjerë, 7 nga të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, janë subjekt i hetimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe si çdo kush tjetër, do të japin llogari para drejtësisë për çdo keqpërdorim dhe dëm të shkaktuar.

Vendi ynë nuk do të jetë më zonë e rehatisë për asnjë individ apo grup që cënon jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë e sigurinë e vendit tonë. Secili kryes i çdo lloj aktiviteti ilegal do të ballafaqohet me drejtësinë.

/GazetaSinjali/