image Aksidentohen dy vetura në Malishevë, lëndohen rëndë tre persona

Siguri

Aksidentohen dy vetura në Malishevë, lëndohen rëndë tre persona

news image

Tre persona janë lënduar rëndë si pasojë e dy vetaksidenteve që kanë ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 17:00, njëri pas tjetrit, në rrugën lokale Drenoc – Carrallukë, në Malishevë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se dy shoferët e dy veturave dhe një pasagjer kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe të tre janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Burimet e Sinjalit brenda policisë bëjnë të ditur se njëri nga shoferët është në rrezik për jetën, ndërsa shoferi tjetër dhe pasagjeri i tij, kanë pësuar frakturë (thyerje), mirëpo janë jashtë rrezikut për jetë.

Si ndodhën aksidentet?

Të dy shoferët kishin qenë duke vozitur në rrugën lokale Drenoc – Carrallukë, mirëpo me të dalë nga fshati, në mënyrë paralele, duke mos u përshtatur kushteve të rrugës dhe duke e tejkaluar shpejtësinë e lejuar, dyshohet se kanë humbur kontrollin mbi automjetet e tyre.

Kështu këto dy vetura kishin dalë jashtë rrugës kryesore, nga ana e majtë e drejtimit të lëvizjes dhe ishin përplasur me disa gurë.

Njëra nga veturat më pas ishte përplasur edhe me një lis, kurse tjetra ishte rrokullisur disa metra jashtë rrugës kryesore, mirëpo veturat nuk janë përplasur mes vete./Gazeta Sinjali/