Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 09:20 në qytetin e Gjakovës, ku janë përfshirë një biçikletë dhe një motoçikletë, e që si pasojë e goditjes lëndime ka pësuar ngasësi i biçikletës.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj. Ai njoftoi se viktima është dërguar në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa pas kontrollit mjekësor ka rezultuar se ai ka tri brinjë me frakturë.
Xhurkaj tha se i dyshuari fillimisht ishte ndalur në vendin e ngjarjes, por më pas është larguar në drejtim të panjohur.
“Deri te aksidenti dyshohet se kishte ardhur, derisa viktima kishte qenë duke lëvizur me biçiklete në rrugën “Gjergj Sokoli” në drejtim të lagjes “Dardania” I , mirëpo me të arritur afër qendrës tregtare ‘ETC’, sipas viktimës dyshohet se nga prapa e kishte goditur një motoçikletë në rrotën e pasme e pas goditjes ishte përplasur për asfalti, ndërsa motoçikleta fillimisht ishte ndalë në vend të ngjarjes e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka thënë Xhurkaj për Sinjalin.