Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pasditen e së enjtes në Tiranë, ku kanë humbur jetën dy persona ndërsa janë plagosur katër të tjerë.
Është bërë e ditur se aksidenti ka ndodhur në Unazën e Madhe, në mbikalimin në afërsi të qendrës tregtare TEG, ndërsa vetura po drejtohej nga një 24-vjeçar.
Në njoftimin e Policisë së Tiranës thuhet se një veturë ‘Audi’ është rrëzuar nga mbikalimi i TEG-ut dhe ka rënë në aksin e poshtëm të rrugës, duke aksidentuar një veturë tjetër të tipit ‘Hunday’.
Njoftohet se dy viktimat janë gra, ndërsa katër të lënduarit janë dërguar në spital, me shoferin që ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dyshimet e para janë se shkak i aksidentit vdekjeprurës ka qenë shpejtësia e lartë.
Njoftimi i Policisë së Tiranës
Rreth orës 17:55, në rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare “TEG”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshire automjeti tip “Audi” dhe automjeti tip “Hyundai”.
Referuar mekanizmit dhe të dhënave paraprake dyshohet se automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin K. R., vjeç 24, ka qenë duke udhëtuar ne unazën lindore me drejtim levizje nga Farka per tek rrethrrotullimi pranë Teg, dhe pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese të mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Hyundai”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor kanë humbur jetën dy shtetase të pa identifikuara akoma, të cilat ishin pasagjere ne automjetin “Audi” si dhe ka mbetur i dëmtuar rëndë drejtuesi i këtij automjeti, si dhe shtetasit A. K., 51 vjeç, O. K, 24 dhe Q. K, rreth 60 vjeç, që udhetonin me automjetin tjetër.