Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi sonte, në rrugën Prizren – Gjakovë, saktësisht në afërsi të fshatit Piranë, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, i cili tha se njëri nga të lënduarit është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Një aksident ka ndodhur sonte rreth orës 19:40 në rrugën Prizren – Gjakovë, në afërsi të fshatit Piranë. Në aksident ka mbetur i vdekur një person, i moshës së re, ndërsa janë lënduar edhe tre persona. Të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Prizrenit. Njëri nga ta është në gjendje më të rëndë shëndetësore”, tha Osmanollaj.
Ai shtoi se ende nuk është e qartë se si ka ardhur deri te aksidenti.
Në aksident kanë qenë të përfshira një veturë, një traktor dhe një kamionetë./Gazeta Sinjali/