Një aksident me fatalitet ka ndodhur mes dy veturave në lëvizje në fshatin Prugovc të Prishtinës, ku një person ka humbur jetën.
Ndërkohë që nga ky aksident, pesë të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën se në fshatin Prugovc, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar pesë persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.
Ajo tha se vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në Emergjencën e QKUK-së.
“Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, tha ajo.